22 NËNTORI – NJË KRENARI QË JETON NË ÇDO SHKRONJË
Ka ditë që nuk shënohen vetëm në kalendar, por mbeten të gdhendura në kujtesën dhe zemrën e një populli. Një nga ato ditë është 22 Nëntori – dita kur alfabeti ynë u bë simbol i bashkimit, dijes dhe identitetit shqiptar.
Në SHFK „Mihal Grameno“ – fshati Bllacë, kjo ditë u përjetua përmes zërave të nxënësve, fjalëve të bukura, interpretimeve dhe emocioneve që na rikujtuan se gjuha shqipe është thesari që na bashkon ndër breza.
Me çdo recitim, këngë e dramatizim, nxënësit përcollën mesazhin se shkronjat tona mbartin histori, sakrificë, dashuri dhe ëndrrën e brezave që punuan për ta ruajtur gjuhën shqipe.
Mirënjohje për të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit që me përkushtimin e tyre i dhanë kësaj feste ngjyra, kuptim dhe jetë.
Sepse shqipja nuk është vetëm gjuhë që flasim – është rrënja jonë, zëri ynë dhe shpirti që na mban të bashkuar.
Gëzuar 22 Nëntorin!
16 NËNTOR
HOMAZHE DHE PËRKUJTIM PËR 82-VJETORIN E MASAKRËS SË BLLACËS
Nxënësit dhe stafi i shkollës sonë, së bashku me banorët dhe familjarët e fshatit, morëm pjesë në manifestimin përkujtimor dhe bëmë homazhe me rastin e 82-vjetorit të Masakrës së Bllacës,me qëllimin e shenjtë që brezat e rinj të njohin historinë e tyre dhe të mos e harrojnë kurrë sakrificën e të parëve.
Të bashkuar, me kurora lulesh dhe me respekt të thellë, u përkulëm para monumentit dhe pllakës përkujtimore në Bllacë, ku prehen të gdhendur në mermer emrat e 111 martirëve të pafajshëm të pushkatuar mizorisht nga brigada e 16-të maqedonase. Në këtë ditë kujtese, nxënësit tanë, krah bashkëvendësve, u njohën nga afër me këtë ngjarje të rëndë.
Me këtë rast, shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë të sinqertë për Kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, z. Mehmet Ballazhi, për organizimin dinjitoz dhe iniciativën e këtij manifestimi përkujtimor, i cili shërben si një mesazh i fuqishëm në ruajtjen e kujtesës historike tek brezat e rinj.
Si institucion arsimor, ne besojmë se edukimi i të rinjve me të vërtetat historike dhe respektin për të rënët, krah komunitetit tonë, është mburoja më e fortë kundër harresës.
Lavdi e përjetshme 111 martirëve të Bllacës!
Kujtimi i tyre do të jetojë përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e brezave të rinj!
Sot, në shkollën tonë, në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocione, shënuam pensionimin e mësuesit tonë të respektuar, Muhib Xhaviti duke nderuar një jetë të tërë kushtuar arsimit dhe edukimit të brezave të rinj.
Që nga viti 1986 e deri më sot, ai i shërbeu arsimit, dijes dhe edukimit të brezave të rinj. Pas një karriere 40-vjeçare në arsim, ai lë pas një kontribut të çmuar, përkushtim të palëkundur dhe gjurmë të pashlyeshme në jetën e shumë nxënësve.
Pensionimi juaj shënon fundin e një karriere, por jo të veprës suaj! Gjurmët që keni lënë në arsim do të jetojnë përmes çdo brezi që keni edukuar.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë, ju falënderojmë për punën, sakrificën dhe gjithçka që i dhatë arsimit ndër vite.
Kontributi juaj do të mbetet gjithmonë i vlerësuar dhe i kujtuar me respekt.
Faleminderit për gjithçka, veteran i arsimit!
Sot kolektivi i Shkollës tonë Fillore nderoi arsimtarin Zeqir Bilalli me rastin e daljes në pension, duke e falënderuar për kontributin e tij të palodhur ndër vite në zonat e malësisë në fshatin Brezë dhe fshatin Malinë.
I dëshirojmë shëndet, jetë të gjatë dhe mbarësi në familje!
Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim Kryetarin e Komunës, Zoran Bajovski, në shkollën tonë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor dhe pritjes së nxënësve tanë më të rinj – nxënësve të klasës së parë.
Me këtë rast, Kryetari Bajovski u dhuroi nxënësve të klasës së parë mjete shkollore, duke u sjellë gëzim dhe buzëqeshje në ditët e tyre të para në shkollë.
Arsimi është një nga prioritetet tona të përbashkëta dhe investimi më i mirë për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Nxënës të dashur, ju urojmë një fillim të mbarë, shumë suksese, dije, miqësi dhe momente të bukura gjatë rrugëtimit tuaj shkollor.
Mirë se erdhët në shkollën tuaj!
Të nderuar prindër dhe nxënës,
Ju njoftojmë se viti i ri shkollor 2026/2027 fillon më 1 shtator 2026 (e martë).
Mësimi do të zhvillohet sipas këtij orari:
Cikli i lartë – klasat VI–IX
🕢 Fillimi i mësimit: 07:30
Cikli i ulët – klasat I–V
🕐 Fillimi i mësimit: 13:00
Ju urojmë të gjithëve një fillim të mbarë dhe një vit shkollor të suksesshëm!
SHFK „Mihal Grameno“
Bllacë